Presidenti Ilir Meta, një nga njerëzit që ka pasur më shumë pushtet në 30 vitet e demokracisë ka treguar sot në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballe Blendi Fevziu ka treguar të gjithë rrugëtimin e tij.

Meta ka thënë se pakënaqësia në Shqipëri në vitin 1990 përveç se ishte ekonomike, qytetarët kërkonin dhe liri të tjera politike. Kreu i shtetit po ashtu ka treguar se si u bë pjesë e delegacionit për të takuar Ramiz Alinë.  

Blendi Fevziu: Çfarë nuk ecte sipas jush? Ju ishit në atë kohë20-22-vjeçar në Lëvizjen Studentore, pa i mbushur 22 vjeç. Çfarë nuk ecte sipas jush? Çfarë pakënaqësie kishit ju me sistemin?

Presidenti Ilir Meta: E theksova aspektin ekonomik dhe të gjithë kufizimet e tjera.

Blendi Fevziu: Ishte pakënaqësi vetëm ekonomike zoti Meta apo kishte pakënaqësi të tjera?

Presidenti Ilir Meta: Jo, nuk ishte thjesht ekonomike se po të ishte e tillë, protesta e studentëve me disa premtime për të rregulluar kushtet ekonomike do të ishte zbutur.

Ishte e qartë se vendi kishte nevojë për një ndryshim politik. Të drejtat e njeriut ishin në një gjendje mjaft të mjeruar dhe kishte filluar një sensibilizim i gjerë për të hapur rrugën e ndryshimeve politike.

Blendi Fevziu: Zoti Meta ju u gjendët në Lëvizjen Studentore dhe u bëtë pjesë e delegacionit të studentëve që shkoi të negocionte me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë, i cili e kishte zyrën në këtë godinë. Si u përfshitë në atë delegacion, në Lëvizjen Studentore?

Presidenti Ilir Meta: Lëvizja Studentore erdhi si një lloj procesi. Protesta e studentëve kishte filluar përpara 8 dhjetorit ‘90 po të kemi në konsideratë disa takime të zhvilluara në fakultete të ndryshme, nga eksponentë të udhëheqjes së asaj kohe, që synonin të testonin dhe mbajtur nën kontroll rininë apo elitën e rinisë studentore të asaj kohe. Unë kisha marrë pjesë në disa debate të organizuara në Fakultetin e Ekonomisë me disa eksponentë të Komitetit Qendror që vinin në atë kohë.

Blendi Fevziu:  Ishin disa tentativa për ta zbutur situatën.

Presidenti Ilir Meta: Unë isha edhe Sekretari i Rinisë i degës së Ekonomisë Politike në atë periudhë, isha një person i njohur dhe debatet e mia krijuan një efekt me këta drejtues, me këta eksponentë. Për më tepër bëra një mbrojtje të profesor Gramoz Pashkos pas një interviste që ai dha në “Zërin e Amerikës”./tvklan.al