“Popullohen rrugët, rinisin aktivitetin bizneset”

Divjaka,  një nder qytetet e listuara në zonën e gjelbër e që nuk shënon asnjë  rast të infektuarish nga koronavirusi, i është rikthyer gjallërisë së dikurshme.

Rrugët janë populluar, ndërsa 80 përqind e bizneseve kanë nisur aktivitetin tregtar.

Lëvizjet e automjeteve kanë qenë të shumta e po kështu edhe postoblloqet e policisë në hyrje- daljet e qytetit. Jo të pakta kanë qenë automjetet e kthyera nga uniformat blu në zonën e plazhit, drejtuesit e të cilave tentuan që këtë ditë të nxehtë ta shfrytëzojnë për plazh.

Lehtësimi i lëvizjes ka sjellë edhe hapjen e punës për sektorin e bujqësisë.

Krahu i punës ka qenë një ndër problemet kryesore të prodhuesve të zonës. Tokat punohen nga njerëz me pagesë të cilët vijnë jo vetëm nga Divjaka, por edhe nga qytetit e tjera të vendit.

Ekonomia bujqësore nuk ka ndalur asnjëherë punën në këtë qytet pavarësisht masave shtrënguese. Ky sektor siguron 90 përqind të të ardhurave bazë për çdo familje, ndaj kufizimi i lëvizjeve dhe mungesa e transportit publik ka bërë që shumë punëtorë të mos kishin mundësinë të vinin në vendet e punës.

Gjallëri ka patur edhe në qytetet e Librazhdit e Përrenjasit, të listuara në zonën e gjelbër, në të cilat aktualisht nuk shënohet asnjë i prekur me koronavirus.

Për banorët  futja e tyre në zonën e gjelbër i jep më shumë frymëmarrje qytetit dhe biznesit.

Lëvizja e qytetarëve ka vijuar nga ora 09.30 deri në orën 17.30 e pasdites dhe pas kësaj fashe banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre.

E njëjta panoramë ishte edhe në Pogradec, ku banorë  të shumtë shfrytëzuan ditën e me diell për të dalë buzë liqenit apo shëtitur nëpër rrugët e qytetit.

Tv Klan