Lëvizja reformatore brenda Partisë Demokratike ka deklaruar sot se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, elektorati i kësaj partie nuk duhet të humbë shpresën. Ky rezultat tha Pollo nuk vjen për faj të demokratëve, por për faj të Berishës.

“Rezultati i zgjedhjeve i heq çdolloj legjitimiteti këtij grupi për të marrë përsipër udhëheqjen e demokratëve dhe askush nuk ka të drejtë aq më tepër ai të mbajë peng elektoratin tonë, elektoratin e Partisë Demokratike për interesa personale apo mbijetesa politike. Mendoj që është koha të merret përsipër përgjegjësia për këtë humbje nga personi që mori përsipër të drejtojë fushatën dhe të personalizojë votën e tij, votën e demokratëve me personin e tij. Çdo ditë e humbur është një ditë që punon për Partinë Socialiste.”

Lëvizja reformatore vijoi Pollo është duke përgatitur një platformë për nxjerrjen e Partisë Demokratike nga kriza. Përsa i takon gabimeve të fushatës, reformatorët komentuan se mos angazhimi i reformatorëve si dhe ndjekja e kësaj fushatë në mënyrë të vjetëruar, solli dhe humbje në zgjedhje. Vetëm riorganizimi do të ndihmojë zonat që janë në balotazh, u shprehën reformatorët./tvklan.al