Ndryshuan ekip mbi 10 lojtarë nga porta në sulm

Merkato e verës solli ndryshime për disa lojtarë të Kombëtares. Armando Sadiku ishte i fundit që vendosi të kalojë tek një tjetër ekip po në Spanjë. Sulmuesi u transferua pak para mbylljes së merkatos një kategori më poshtë nga Levante në La Liga te Malaga në Segunda Division. Një ndryshim ky për të luajtur sa më shumë minuta, pasi te skuadra që zotëron kartonin nuk po gjente hapësirë.

Të tjerë sulmues të kombëtares vendosën të vijojnë karrierën në klube të rinj. Bekim Balaj kaloi nga Akhmat Grozny i Rusisë te Sturm Graz i Austrisë. Duket një zgjedhje e duhur, pasi me 3 gola të shënuar deri më tani po tregon se është përshtatur menjëherë. Ekip ndryshoi edhe Mërgim Mavraj. Kapiteni këtë sezon është pjesë e Greuther Furth në Bundesligen 2.

Skuadra të tjera edhe për ata të cilët Edy Reja i la në listën rezervë për takimet me Francën dhe Islandën, Taulant Seferi dhe Giacomo Vrioni. Edhe Etrit Berisha zgjodhi Spal që luan për mbijetesë në vend të Atalanta për të qenë titullar. Transferim i duhur për Kastriot Dermakun, i cili nga Cosenza kaloi te Parma në Serie A.

Skuadra të reja edhe për Enea Mihajn, i cili kaloi te PAOK në Greqi, Naser Aliji zgjodhi Honved në Hungari, Ivan Balliu kaloi tek Almeria në Spanjë, ndërsa Ergys Kaçe u bë pjesë e Larissa në kampionatin grek. I përfolur për një largim deri në momentet e fundit ishte edhe Elseid Hysaj, por mosgjetja e dakordësisë bëri që ai të qëndrojë sërish te Napoli.  

Tv Klan