Një 37-vjeçar është vënë në pranga nga autoritetet policore në Durrës pasi tregtonte fara kanabisi. Mësohet se i riu banonte në Kavajë dhe është një person i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia kishte siguruar informacione se S.P., udhëtonte me një taksi dhe mbante me vete një sasi të konsiderueshme farash kanabisi. Ai lëvizte si pasagjer për të humbur gjurmët prandaj dhe operacioni për kapjen e të riut u kodua “Pasagjeri”.

37-vjeçari u arrestua në vendin e quajtur “Rrotondo e Plepave”.

Gjatë kontrollit fizik të S. P., iu gjend një sasi prej 20 gramë fara të bimës narkotike kanabis sativa dhe në bagazhin e mjetit u gjetën në dy kuti kartoni me një sasi prej 2 kilogramë fara të lëndës narkotike kanabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al