Polaku refuzon të rinovojë me gjermanët, preferon Barcelonën

Pas 8 sezonesh me 18 trofe dhe 343 gola në 374 paraqitje,  Robert Lewandowski i thotë lamtumirë Bayernit të Mynihut. Sipas raportimeve të “Bild” sulmuesi polak i ka komunikuar tashmë klubit bavarez se nuk do të rinovojë kontratën e tij që skadon në vitin 2023 dhe se në moshën 34-vjeçare do të dëshironte të nisë një tjetër aventurë diku tjetër. Një aventurë që Lewandowski do të donte të ishte në Spanjë, te Barcelona.

Madje, polaku parashikohet se do të bëjë presion që Bayern Munich ta shesë që këtë verë. Vullneti i lojtarit është i qartë, sigurisht edhe ai i Barcelonës, por Bayern Munich nuk do të kishte ndërmend ta shesë dhe për këtë arsye do të ishte i gatshëm ta mbante edhe një vit dhe më pas ta humbte me parametra zero.

Ajo që do të pranohej menjëherë nga klubi bavarez do të ishte një ofertë për një shifër më shumë se 35 milionë Euro. Alternativat e Bayern për të gjetur pasuesin e 34-vjeçarin janë ulur disi, pas largimit të Erling Haaland nga Borusia Dortmund në drejtim të Manchester City. Megjithatë kur bëhet fjalë për Bayern Mynih, elementët cilësorë nuk mungojnë asnjëherë në listën e dëshirave, aq më tepër një sulmues që kërkon të mbushë hapësirat e lëna nga një futbollist si Lewandowski.

Klan News