Barcelona nuk do ta detyrojë sulmuesin që të largohet në verë

Paraqitja e Robert Lewandowski-t në sezonin e dytë te Barcelona ka qenë larg pritshmërive. Pas transferimit nga Bayern Munich në vitin 2022, sulmuesi polak kontribuoi te katalanasit në fitimin e La Liga-s dhe të Superkupës së Spanjës, madje fitoi edhe trofeun e golashënuesit më të mirë.

Por me nisjen e sezonit të ri, me performancën e tij, ai ka sjellë pakënaqësi te drejtuesit. Lewandowski ka realizuar 12 gola dhe ka dhënë 5 asiste në 27 takime të luajtura, shifra që janë larg standardit të tij të zakonshëm. Për më tepër, që kapiteni i Polonisë nuk ka shënuar në 4 sfidat e fundit në La Liga.

Nisur nga kjo, në Spanjë janë shtuar zërat për një largim të mundshëm të 35-vjeçarit, me klubet saudite që janë gati t’i ofrojnë atij një pagesë sheiku. Por sipas të përditshmes sportive spanjolle “Sport”, drejtuesit katalanas nuk do të këmbëngulin që ta largojnë futbollistin, por do t’ia lënë vetë atij në dorë të vendosë për të ardhmen.

Në klub ai ngelet një nga futbollistët më të vlerësuar sa i përket talentit, eksperiencës dhe profesionalizmit. Asnjë nuk dyshon te lojtari dhe drejtuesit janë të vendosur që t’i japin shansin që të tregojë veten në fushë. E vetmja çështje shqetësuese është kontrata e lojtarit që parashikon një rritje të rrogës sezon pas sezoni. Kjo është çështja që do të sjellë diskutime mes palëve.

Klan News