Piloti britanik ka kritika për stilin agresiv që rivali i tij përdor gjatë garave në pistë

Lewis Hamilton ka thumbuar rivalin për titullin kampion, Maks Verstappen, ndërsa kanë ngelur edhe dy gara në përfundim të kampionatit.

Beteja mes britanikut dhe holandezit ka qenë mjaft e fortë dhe kanë qenë disa incidentet mes tyre.

Hamilton fitoi Çmimin e Madh të Katarit fundjavën e shkuar dhe e ka çuar diferencën me pilotin e Red Bull-it në vetëm 8 pikë.

Shtatë herë kampioni i botës tha për “BBC Sport” se stili agresiv i rivalit të tij ka bërë që ai të aplikojë një qasje të kudjesshme në pistë, që beson se e ka ndihmuar gjatë garave.

Lewis Hamilton: Duhet që të jesh shumë i kujdesshëm, më shumës se sa më parë. Gjithnjë duhet të jesh gati që të shmangësh një përplasje, edhe nëse kjo do të thotë që ta marrësh trajektoren gjerë sepse qëllimi është që të përfundosh garën. Nëse je kokëfortë dhe nuk lë hapësira, do të përplasesh. Këtë jam përjekur që të bëj! Kam shmangur përplasjen. Dhe mendoj se ia kam dalë në shumicën e rasteve. Jo gjithmonë je perfekt!

Dy garat e mbetura janë ato të Arabisë Saudite dhe të Abu Dhabit. Rivaliteti mes pilotit të Mercedes dhe atij të Red Bull-it pritet që të jetë mjaft i ashpër.

Të dy janë përfshirë në incidente në pistat e Silverstonit, Monzës dhe në Interlagosit.

Klan News