Britaniku rinovon deri në 2023 me Mercedes, synim titulli

Lewis Hamilton do jetë pjesë e Mercedes deri në vitin 2023. Dilemat e ditëve të fundit kanë marrë fund, me skuderinë gjermane që ka arritur akordin me pilotin britanik për të kaluar edhe sezonin e 10-të e të 11-të me Mercedes në garën më spektakolare të automobilizmit.

Pas negociatave të gjata për të rinovuar për sezonin aktual, palët kanë arritur një marrëveshje për dy vitet e ardhshme. Një lajm mjaft i mirë ky për tifozët e 36-vjeçarit, i cili këtë sezon synon titullin kampion, që do ishte edhe i 8-ti në karrierën e tij.

Nëse kjo arrihet prej tij, Hamilton do kalonte edhe legjendën e këtij sporti, Michael Schumacher, i cili numëron 7 tituj. Hamilton është pjesë e Mercedez prej vitit 2013. Nën drejtimin e saj ka fituar gjashtë tituj kampion, duke regjistruar 77 fitore dhe 74 pole position.

Klan News