Fatura do t’i shkojë sa konsumi i Marsit të vitit të shkuar 

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do ta ketë të pamunduar leximin e matësve për 368 mijë abonentë të saj të cilët ndodhen në zona të largëta, ndaj faturimi i energjisë për ta do të bëhet duke patur si referencë muajin Mars të vitit të shkuar.

“Rreth 70% të abonentëve familjarë do t’u lexohet matësi nga ekipet tona në terren. Për 30% të abonentëve të tjerë për të cilët ky proces do të jetë i pamundur, do të aplikohet faturimin me vlerë reference”.

Mënyra e faturimit do të bëhet në bazë të një vendimi që ka miratuar Enti Rregullator i Energjisë, ku vetë OSHEE sqaronte pamundësinë për të lexuar matësit në kohë, nga kushtet e krijuara të COVID -19. ERE detyron kompaninë që të bëjë rakordimin e të dhënave të sakta të faturimit menjëherë në muajin pasardhës.

“Diferencat që do të rezultojnë ndërmjet faturimit me vlerë referuese zëvendësuese sipas këtij vendimi dhe vlerës reale të konsumit do të sistemohen brenda muajit të parë”.

Enti Rregullator lejon që për bizneset e mbyllura në muajin Mars, faturimi me sistem referimi të bëhet vetëm për gjysmën e muajit.

Tv Klan