Pas pothuajse një dekade, në Liban mbahen zgjedhjet parlamentare që për herë të fundit ishin zhvilluar në vitin 2009. Pavarësisht se mandati ishte 4-vjeçar, Parlamenti zgjati dy herë afatin e qeverisë për shkak të paqëndrueshmërisë në Sirinë fqinje si dhe për të reformuar ligjet e vendit duke ndryshuar sistemin e votimit. Për herë të parë, është lejuar votimi i emigrantëve dhe është zvogëluar numri i qarqeve.

Hezbollahu, që konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA, kërkon që të rrisë përfaqësimin e saj në Parlament. Sipas BBC, rezultatet zyrtare të votimit pritet që të dalin të hënën ose të martën, por analistët në vend presin që projeksionet e para të dalin mbrëmjen e së dielës.

Bashkimi Evropian thotë se ka vendosur vëzhgues të zgjedhjeve në të gjitha qarqet në Liban. Në Nëntor, Kryeministri aktual Saad al-Hariri shkaktoi krizë politike në vend, kur u largua drejt Arabisë Saudite dhe njoftoi dorëheqjen e tij në një fjalim televiziv, ku thoshte se dyshonte që përpiqeshin të vrisnin. Dy javë më vonë revokoi dorëheqjen e tij, pasi bisedoi me Presidentin Michel Aoun dhe në Dhjetor tërhoqi krejtësisht vendimin e tij.

Libani ka pasur një sistem politik të ndarjes së pushtetit mes grupeve të ndryshme fetare. Vendet në Parlament janë të ndara midis të Krishterëve dhe Myslimanëve. /

tvklan.al