Shpërthim masiv në Bejrut, numër i madh viktimash


Shpërthim masiv në Bejrut, numër i madh viktimash

19:57 04/08/2020

Autoritetet raportuan edhe për mbi 4000 të plagosur

Dy shpërthime të përmasave tepër të mëdha tronditën pasditen e së martës kryeqytetin libanez, Bejrut. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, pranë portit të kryeqytetit libanez, më të madhit në vend, kur vala shpërthyese shkatërroi thuajse gjithçka rreth e përqark. 

Të dhënat paraprake flasin për një bilanc të rëndë, ku disa dhjetëra persona kanë humbur jetën. Ministri i Shëndetësisë së Libanit, Hamad Hassan u tha gazetarëve se të paktën 70 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4000 të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit masiv. Por pritet që bilanci të rritet pasi shpërthimet e ndodhura kanë shkaktuar shkatërrim dhe dëme të mëdha në një zonë tepër të gjerë.

Pamjet e regjistruara afër zonës së shpërthimit tregonin njerëz të vdekur dhe të mbuluar nga pluhuri, ndërsa viktima kishte edhe nëpër makinat e shkatërruara dhe rrënojat e ndërtesave të rrënuara. Guvernatori i Bejrutit bëri të ditur se të paktën 10 punonjës të shërbimit zjarrfikës që kishin shkuar për të shuar zjarrin e parë kanë humbur në rrënoja.

Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se dëme nga shpërthimet ka pasur deri disa kilometra larg tyre, ndërsa shpërthimi është ndjerë deri në 150 milje larg nga Libani.

Sipas autoriteteve, dyshimet paraprake janë për një shpërthim aksidental të materialeve shpërthyese që gjendeshin në një objekt pranë portit. Ekipet e emergjencës e kanë pasur të vështirë të mbërrinin menjëherë në vendngjarje për shkak të trafikut të madh të automjeteve dhe dëmeve në rrugët lidhëse me zonën. Menjëherë pas kësaj presidenti libanez Michel Aoun urdhëroi ushtrinë të zbresë në rrugë, për të marrë situatën nën kontroll, ndërsa flakët vijuan deri në orët e vona të natës.

Tv Klan




Të ngjashme