Duke nisur që nga Korriku i këtij viti, bizneset e lidhura në nivelin e tensionit 35 kV do të jenë të detyruara të nisin shkëputjen nga rrjeti i Operatorit të Shpërndarjes për ta siguruar vetë energjinë elektrike dhe me pas ky proces do të vijojë në vazhdim edhe me bizneset e tjera, deri në vitin 2018.

Lajmin e bën të ditur vetë Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, në një takim të organizuar e me bizneset që preken nga ky detyrim.

Detyrimin për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë së blerë nga vetë bizneset në HEC të ndryshme, apo nëpërmjet importit, do ta ketë OSHEE dhe OST.

Që në nisje të këtij detyrimi, përfaqësuesit e bizneseve ngrenë shqetësimin për liberalizimin e energjisë dhe tarifat e aksesit në rrjet, të cilat do të jenë më të larta se rajoni. Sipas bizneseve, kjo krijon probleme të mëdha në rritjen e çmimit final të energjisë, si dhe në krijimin e vështirësive në operacionet e biznesit.

Që tarifat e aksesit në rrjet do të jenë më të larta se të rajonit, kjo pranohet edhe nga vetë Ministri i Energjisë, i cili e argumenton këtë fakt me nevojën për të mbuluar investimet.

Dalja me detyrim e konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me energji i OSHEE, në total prek afro 6200 biznese në vend të lidhura në tension të mesëm 35/20/10/06 KV, pra ka të bëjë me një numër shumë të madh biznesesh, që duhet të trajnohen, të monitorohen, të këshillohen dhe të jepen alternativa për furnizimin me energji.

Burime për Televizionin Klan thonë se tarifat e propozuara nga OSHEE për aksesin në rrjetin 35,20,10, KV do të jenë 40 – 80% më të larta se vendet e rajonit, si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia.

Bizneset thonë se kosto e disbalancave është një tjetër kosto e padukshme për momentin, e cila do jetë në nivele shumë të larta për këto biznese, në momentin që do dalin në tregun e liberalizuar të energjisë.

Nonsens për bizneset përbën edhe fakti që në disa raste, kosto e tarifës së aksesit do jetë në përqindje të njëjtë me koston e blerjes së energjisë, në disa raste.

Në kohën kur, qeveria e promovon si zhvillim pozitiv liberalizimin e tregut të energjisë, për bizneset e mëdha dhe të vogla, dalja në mënyrë të detyrueshme pa informacion transparent, pa infrastrukturën cilësore dhe me kosto të larta, aksesi dhe kosto të larta disbalancash, do të përkthehet si përfundim, rritje të çmimit të energjisë dhe do ketë kosto shtesë për bizneset dhe për produktin final tek konsumatorët, duke ulur ndjeshëm rentabilitetin ekonomik të biznesit në Shqipëri dhe Rajon

Tv Klan