Pas vendimit të Ministrisë së Energjisë për të nisur në Korrik të këtij viti, liberalizimin e energjisë për afro 82 subjekte që janë të lidhura në nivelin e tensionit 35 kV, bizneset kanë shprehur sërish shqetësimin e tyre.

Liberalizimi i energjisë nënkupton që bizneset janë të detyruara që ta sigurojnë vetë energjinë elektrike nga HEC -et apo nëpërmjet importit, ndërsa detyrimin për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë do ta ketë OSHEE dhe OST.

Shqetësimi që ngrenë bizneset në të gjithë këtë proces janë tarifat e aksesit në rrjet.

Ministri i Energjisë e pranoi publikisht ditë më parë që këto tarifa do të jenë më të larta se te rajonit, pasi nevojiten investime.

Por kjo gjë kundërshtohet nga bizneset, të cilat thonë se këto tarifa të larta çojnë në rritjen e çmimit final të energjisë.

Në njoftimin për shtyp, Konfederata e Industrive të Shqipërisë, që përfaqëson mbi 300 biznese vendase e të huaja, i bën thirrje edhe njëherë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si dhe  Entit Rregullator të Energjisë, që nivelet e tarifimit të linjave që OSHEE do të zbatojë të mbështeten në analiza të hollësishme të kostove, të merren parasysh investimet e deritashme të bizneseve dhe të mbahen parasysh nivelet e tarifave të vendeve të Rajonit.

Tv Klan