Institucionet e Kosovës nuk presin befasi nga Bashkimi Evropian kur është në pyetje liberalizimi i vizave. Në Qeverinë e Kosovës, por edhe në instancat tjera shtetërore, besojnë fuqishëm se nga fundi i këtij viti qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm dhe pa viza në zonën Schengen.

Sipas zyrtarëve në Prishtinë, Kosova ka kryer pjesën e vet të përmbushjes së kritereve dhe se tani ‘topi ka mbetur në fushën e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare’ që të marrin vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pritjet janë reale dhe sipas saj, për këtë optimizëm është punuar shumë.

“Optimizmin e bazojmë në punën që është bërë sepse me të vërtetë kemi bërë një punë të madhe, por gjithashtu [optimizmi ] bazohet në kontaktet tonë në deklaratat e zyrtareve të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Para disa ditës ditësh e patë në Kosovë raportuesin e Kosovës në Parlamentin Evropian zotin Soltes i cili edhe vet deklaroi se është optimist se liberalizimi do të ndodh deri në fund të vitit”

, tha Hoxha.

Pas disa takimeve me përfaqësuesit politikë dhe ata të shoqërisë civile, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes pak ditë me parë ka shprehur optimizmin e tij se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të mundësohet nga fundi i këtij viti.

Ministrja e Integrimit, tha se institucionet e Kosovës në përgjithësi dhe Ministria e Integrimit në veçanti kanë punuar, me një ritëm të shpejt në plotësimin e kritereve të mbetura për liberalizim nga Bashkimi Evropian.

“Kemi progres shume të madh që është bërë në këtë fushë. Por, nuk duhet ta ndërlidhim luftimin e krimit dhe të korrupsionit në mënyrë të përgjithshme, pra për procesin e integrimit evropian sepse aty do të kërkohet edhe më shumë. Këtë duhet bërë më shumë edhe për qytetarët tanë, për ta fuqizuar sundimin e ligjit”,

tha Hoxha.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë të ndryshëm të Kosovës, i kanë shkruar tashmë një letër të hapur Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, përmes së cilës kanë kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë letër ata kanë numëruar edhe arsyet pse qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin populli i vetëm i izoluar në rajon.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se në drejtim të procesit të liberalizmit të vizave, Kosova ka bërë punë, por siç thotë ai, ende duhet të ketë kujdes në deklarimet që bëhen nga ana e zyrtarëve qeveritarë.

“Do të isha më i rezervuar, thënë ndryshe nuk është që nuk e ndaj mendimin e njëjtë me zyrtarët në shumë aspekte, për hir të asaj që të jemi të kujdesshëm në gjithë atë se çka flasim dhe çka i premtojmë opinionit publik, qytetarët edhe ashtu janë te lodhur me këto premtime, mendoj se do të isha më i rezervuar se megjithatë vendimmarrja varet BE-ja nga shtet anëtare , duke përfshirë edhe Spanjën e cila duhet të analizohet me kujdes”

, tha Ujkani.

Megjithatë, thotë profesori Ujkani, një shtyrje e procesit të liberalizmit të vizave për vitin 2019 do të ishte katastrofike për Kosovën.

“Për arsye se në vitin 2019 Parlamenti Evropian, hyn në zgjedhje dhe legjislatura e re nuk mund të konstituohet dhe realisht nuk pres një vendimmarrje as në vitin 2019”

,tha Ujkani.

Gjatë muajit Qershor, pritet që BE-ja të japë vlerësimin e parë rreth kritereve të përmbushura. Ndër kriteret kyçe është ai i dëshmive se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.

Pritjet nga institucionet e Kosovës janë që këto procedura në BE të përmbyllen deri në fund të këtij viti./REL