Gazeta italiane, profil për të parin e qeverisë shqiptare
Pushimet e shkurtra të kryeministres së Italisë në Vlorë jo vetëm i dhanë një vëmendje të jashtëzakonshme bregdetit shqiptar në mediat italiane, por edhe një hapsirë të madhe mediatike figurës së kryeministrit Rama që ishte mikpritesi i saj. Gazeta Libero i ka kushtuar një artikull këtë fundjave Edi Ramës politikan, por dhe atij artist.
“Vizita e fundit e kryeministres Giorgia Meloni në Shqipëri, e cila nxori në pah edhe detin me plazhet e bukura të Shqipërisë por edhe mikpritjen e tyre, riktheu vëmendjen tek figura e Edi Ramës, Kryeministër i vendit qysh prej vitit 2013. Mund të themi se Edi Rama jo vetëm mund të mburret me një karrierë politike të dorës së parë, por edhe më shumë. Kujtojmë që ai ka qenë ministër i Kulturës, Sportit dhe Rinisë në vitet 1998-2000, kryetar i Bashkisë së Tiranës për tre mandate, kryetar i Partisë Socialiste dhe për rrjedhojë kryeministër”.
Vendimi i Ramës në kulmin e pandemisë për të çuar një ekip mjekësh për të ndihmuar Italinë e bëri në atë kohë kryeministrin shqiptar të njohur përtej Adriatikut. Por Libero i ka kushtuar shumë rreshta dhe Ramës si artist.
“Jo të gjithë e dinë, nga ana tjetër, që Edi Rama është një artist mjaft i kuotuar në nivel ndërkombëtar. Pavarësisht angazhimeve të tij institucionale, ai gjen mënyrën dhe kohën për të mos braktisur projektet e pikturës, vizatimit dhe projektet e instalimeve të ekspozitave ku ai ftohet shpesh. Kurikulumi i tij multidimensional është vërtet i rëndësishëm: ai mori pjesë në tre Bienalet e Venecias, në 1999, 2003 dhe, veçanërisht e rëndësishme, në atë të vitit 2017 me një hapësirë personale në ekspozitën e kuruar nga regjisorja Christine Macel”.
Gazetari italian citon se të jesh kryetar i Bashkisë së Tiranës është forma më e lartë e artit konceptual. “Eshtë art i pastër puro”, citohet Rama disa vite më pare. Në shkrim thuhet se fakti i të qenit piktor e ka ndihmuar jo pak Edi Ramën në detyrën e tij të kryebashkiakut, duke qenë një shtysë në projektet e urbanizimit të qytetit.
Klan News