Librat shqip do të mbërrijnë deri në Australi, ku sipas statistikave jetojnë rreth 14 000 shqiptarë. Kjo çështje ishte në fokus të takimeve që zhvilloi ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Jashtme australiane dhe Departamentin e Arsimit dhe Trajnimeve në Canberra. Në vizitën e parë të një zyrtari të lartë pranë komunitetit shqiptar në Australi, ministri Majko i shprehu mirënjohjen autoriteteve vendase për standardet e larta në trajtimin e emigrantëve, duke thënë se integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk janë në konflikt me njëri–tjetrin. Duke

përshëndetur përfshirjen e gjuhës shqipe në sistemin shkollor në vendet ku përqendrohen me së shumti shqiptarët, të tilla si Melbourne, Majko i kërkoi Drejtorit për Evropën dhe Azinë në Departamentin e Arsimit, Craig Johnson, bashkëpunim në projektin e shpërndarjes së librave shqip në Australi dhe atë të mundësimit të librave online. Zyrtari i lartë Australian vlerësoi iniciativën e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me atë të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti. 

“Në Australi gjuha është shumë e rëndësishme dhe ne jemi fokusuar në ruajtjen e gjuhëve të komuniteteve që jetojnë këtu prej 25 vitesh. E kuptoj rëndësinë e projektit për t’u ofruar fëmijëve qasje ndaj materialeve të caktuara që lidhen me trashëgiminë dhe gjuhën e origjinës, kështu do të vlerësojmë mënyrën më të mirë për t’iu ndihmuar”, u shpreh Johnson. 

Ai vlerësoi planet për publikimin e librave online, pasi siç tha, në këtë mënyrë mund të arrihej më lehtësisht brezi i ri. Zyrtarët e lartë australianë informuan ministrin se në shtetin e Viktorias, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, një grup i caktuar merret me identifikimin e mësuesve dhe pjesëtarëve të interesuar të komunitetit, duke organizuar më pas kurse të gjuhës shqipe. Majko e cilësoi modelin e integrimit në Australi si një shembull për t’u ndjekur. Ndërkaq, në takimin me Zv/sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme Christofer Langman u diskutua për bashkëpunimin e të dyja vendeve për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Australi.

/tvklan.al