“Zëri i Shpirtit Tim” përmbledh të gjitha tekstet të shkruara prej saj

“Zëri i shpirtit tim” është përmbledhja e teksteve të këngëve të poetes së mirënjohur Zhuliana Jorganxhi. Për të nderuar figurën e saj e cila ka lënë pas një thesar të vërtetë, disa të rinj performuan këngët më të njohura të shkruara nga ajo ndër vite. Të pranishëm në këtë event ishin miq artistë të  poetes dhe kolegët e muzikës e të artit.

Zhuliana Jorganxhi, me tekstet e saj kishte aftësinë e një magneti artistik. Në këtë libër ajo i bën jehonë edhe Shqipërisë që nuk është as e viteve 50-të të shekullit të kaluar, madje as e viteve 90-të.

Poetja mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës shqiptare dhe se vetë shprehet se muzika e kërkon fjalën e lidhur me melodinë në një emërues të përbashkët, që në ditët e sotme rrallë herë e gjen.

Libri i Zhuliana Jorganxhi ‘Zëri i Shpirtit Tim” është shoqëruar me parathënie të Natasha Lako, e cila ndër të tjera në shënimin e saj për librin shpreh se këto tekste janë këngë që përbëjnë histori.

Zhuliana Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës në vitin 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e Artistit të Merituar Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa reshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”.

Disa prej teksteve të shkruara nga ajo janë “Jetën dashuro “, “Këngët e Rinisë”, “Për ty baba” , “Udha e këngës time”, “Më fal”, “Çfarë ke bërë për Shqipëri “? etj. Poezitë e saj janë botuar në Kosovë, Greqi, Rumani, Holandë, Japoni dhe Slloveni.

Klan Plus