Libri i ri, Fevziu: Më emocionali që kam shkruar ndonjëherë

Libri i ri, Fevziu: Më emocionali që kam shkruar ndonjëherë

19:53 09/09/2019

Disa ditë më parë, përmes një videoje në Instagramin e tij, gazetari Blendi Fevziu tregoi shtëpinë e tij të vjetër në Tiranë. Kjo paraprin edhe botimit të librit të tij të ri, të cilin Fevziu e ka quajtur një analizë të fateve njerëzore, në boshtin e të cilit qëndron stërgjyshja e autorit.

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, gazetari u shpreh se libri i tij i ri është më emocionali që ka shkruar ndonjëherë. Ai shtoi gjithashtu se intelektualë dhe njerëz të thjeshtë që kanë lexuar librin janë shumë entuziastë për të.

“E kam mbaruar librin, po pres korrektimin. Nuk i kam vënë titull tamam akoma, “Tirona e nonës” ka qarkulluar për arsye se unë e kam përdorur këtë, por nuk jam akoma i bindur nëse do të jetë ky titulli përfundimtar. Është libri më i mirë që unë kam shkruar ndonjëherë dhe më emocional për mua. Nuk dua të flas më shumë sepse dua ta shpjegoj më shumë kur libri të jetë. Është historia e tre plakave që kanë ndikuar shumë në jetën time, e stërgjyshes time, motrës së stërgjyshes dhe një kushërirës së tyre. Është një histori e fateve njerëzore, ku njerëz që duken fare të zakonshëm, befas ngërthejnë brenda tyre histori të jashtëzakonshme që ngjajnë me 1001 netët.

Është një lloj borxhi. Ka shumë njerëz që krijojnë borxhe në jetën e tyre, një është me prindërit, një tjetër është me shokët që të formojnë dhe të ndihmojnë, një tjetër me mësuesit etj. Ka shumë njerëz që ikin nga kjo botë me borxhet të ngarkuara në kurriz dhe ky ishte një lloj borxhi. Në libër ka një histori me vëllain e stërgjyshes time, që është një histori e rrallë. Ai kishte “bredhur” në shumë vende të botës dhe si përfundim vdiq në Valencia. Rezervoj të flas shumë, por mund të them që njerëzve që ia kam dhënë ta lexojnë janë shumë entuziastë për librin. Besoj në fund do të jetë gati”, tha Fevziu./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT