Rrjetet sociale nuk lënë vend për lexuesit pasi u marrin të gjithë kohën

Periudha e verës është perfekte për çdo njeri që të lexojë. Por për dallim nga vitet e tjera pandemia e Covid-19 nuk ka rritur numrin e lexuesve, të paktë kanë qenë ata që i janë përkushtuar leximit në kohën kur i gjithë vendi u izolua.

Edhe pse libri ndodhet në krizë aktualisht, përhapja e koronavirusit e ka zhytur edhe më shumë. Botuesit japin alarmin se shitja e librave po njeh periudhën më të errët.

Një problem edhe më i madh gjatë kësaj periudhe ishte edhe mbyllja e librarive apo edhe Bibliotekës Kombëtare, kjo bëri që njerëzit të qëndronin edhe më pasiv ndaj librit.

Megjithatë shumë tituj të rinj e interesante mund t’ua mbushin pushimet me histori e rrëfime të ëmbla. Kryesisht libra argëtues, që të përfshijnë me subjektin e tyre, janë gjithmonë në kërkim gjatë stinës së nxehtë.

 “Nga veranda jote duket shtëpia ime” është vëllimi i parë me tregime i autorit shqiptaro-italian Elvis Malaj. Në 12 tregimet e tij tregohen dy botë sa të ndryshme, aq edhe të njëjta. Dy botë që ballafaqohen me njëra-tjetrën përmes gjuhës, botëkuptimit, emocioneve, traditës dhe risisë, të njohurës dhe të panjohurës.

Por shtëpitë botuese nuk kanë menduar vetëm për të rriturit. Edhe librat për fëmijë janë të kërkuar nga grupmosha të ndryshme të cilët pas përfundimit të shkollës shfletojnë libra jashtëshkollorë.

Klan Plus