Zyra e Rregullatorit për Energji i dha të premten licencën e operimit kompanisë serbe “Elektrosever”, e cila do të merret me shpërndarjne e energjisë elektrike në katër komunat e banuar me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Me këtë vendim i hapet rruga zbatimit të marrëveshjes për energjinë sipas udhërrëfyesit të dakorduar në fillim të kësaj jave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kryetari i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu tha se kompania është lincecuar për katër komunat në veri të Kosovës, Zveçanin, Zubin Potokun, Leposaviçin dhe Mitrovicën e Veriut.

“Kjo licencë gjithashtu duhet ritheksuar se ka të bëj me furnizimin e konsumatorëve në katër komunat me çmime të parregulluara që do të thotë që konsumatorët e këtyre katër komunave do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues, mirëpo duhet ritheksuar se tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të transmisionit dhe tregut, tarifat e shfrytëzimit të distribucionit, tarifat e furnizuesit me shërbim të obligimit universal dhe tarifat siç është përmendur sot që është hapur tenderi për furnizuesin e fundit do të jenë obligative dhe do të implementohen në të gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë është sulmuar me mjete shpërthyese objekti i shpërndarjes së energjisë në veriun e Kosovës, i cili është në pronësi të Serbisë.

Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Besim Hoti, i tha Zërit të Amerikës se prokuroria ka nisur hetimet dhe është në pritje të ekspertizës përfundimtare. Ai tha se shpërthimi është shkaktuar nga një lëndë plasëse, ndërsa ka nisur puna për riparimin e transformatorit të dëmtuar.

Sulmin e dënoi ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se ky sulm është kryer nga strukturat paralele të Serbisë dhe ka për qëllim që të terrorizojë banorët e asaj pjese dhe të ngjall pasiguri për qytetarët e Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviçit në veriun e Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Deri në vitin 2017, shpenzimet e energjisë në atë zonë janë mbuluar nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga 2017, paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se me zbatimin e marrëveshjes për energjinë do të kursehen dhjetëra miliona euro në vit që paguhen çdo vjet për energjinë e shpenzuar elektrike në veriun e Kosovës./VOA