Liderët botërore thirrje për vaksinim




Liderët botërore thirrje për vaksinim

12:03 19/06/2021

Varianti “Delta” kërcënon progresin që është bërë, mund të shkaktojë një valë tjetër 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u ka bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, ndërsa apelon për kujdes pasi varianti Delta është përhapur në të gjithë botën.

Ky variant, më i transmetueshëm, pritet të bëhet dominant edhe në SHBA.

Biden njoftoi se 300 milionë doza kundër COVID-19 tashmë janë administruar gjatë 150 ditëve, që prej ditës kur mori detyrën e Presidentit.

Rreth 172.4 milionë persona apo 51.9% e popullsisë së SHBA-së, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Ndërsa 42.6 për qind e popullsisë, janë të vaksinuar plotësisht.

Ndërkaq, Britania ka raportuar për rritje të infektimeve nga varianti Delta, duke detyruar qeverinë që të shtyjë vendimin për relaksimin e masave kundër koronavirusit. Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka kufizime për udhëtimet nga Portugalia për përhapjen e mutacionit indian. Boris Johnson i kërkoi popullit të tij durim derisa situata të vihet nën kontroll.

Në Bashkimin Evropian, shtetet kanë administruar të paktën një dozë të vaksinës për pothuajse gjysmën e popullsisë së bllokut.

Edhe liderët e Gjermanisë dhe Francës u bëjnë thirrje vendeve europiane që të jenë më viligjente ndaj variantit Delta, i cili kërcënon përparimin që këto shtete kanë shënuar ndaj pandemisë.

Klan News





Të ngjashme