Liderët e Ballkanit Perëndimor takohen në Ohër



Liderët e Ballkanit Perëndimor takohen në Ohër

15:23 10/11/2019

Rama: Kosova u vetëpërjashtua dhe u izolua

Pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, u bënë pjesë e takimit të Ohrit ku u diskutua sërish nisma për Shengenin Ballkanik, asnjë përfaqësues i Kosovës nuk ju përgjigj ftesës.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç janë të një mendje se nuk duhet pritur derisa Bashkimi Europian të vendosë t’i mirepresë në gjirin e tyre, por duhet mundësuar lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave që do të sjellë veç përfitime.

Edi Rama shprehu keqardhjen për mospraninë e Kosovës, pasi sipas tij, vetëpërjashtimi nuk ndihmon por e dëmton procesin e njohjes së Pavarësisë së saj.

Si në konferencën e përbashkët për shtyp, ashtu dhe në një bashkëbisedim me gazetarët që ndoqën samitin, Rama i ktheu përgjigje një sërë akuzave që erdhën nga Kosova për këtë nismë.

Rama përsërit disa herë se Shengeni i Ballkanit Perëndimor më së pari ndihmon projektin për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama, Vuçiç e Zaev kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët që bien dakort për Shengenin Ballkanik, ndërsa Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjes tha se nuk janë gati për heqjen e kufijve. Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi deklaroi se do të njihen imtësisht me këtë nismë përpara se të shprehen. Por kjo, sipas Ramës, nuk i pengon vendet që janë dakort të vazhdojnë përpara duke hedhur hapa konkret. Ai nënvizon se Shqipëria rrugën e vetme ka anëtarësimin në BE, e këtu nuk e kursen ironinë me Aleksandër Vuçiçin.

“Serbia ka dhe miq të tjerë. Luan me shumë porta. Ne vetëm këtë derë kemi”.

Pjesëmarrësit në këtë takim janë dakortësuar se mbledhjen e radhës do e zhvillojnë në 21 Dhjetor në Durrës ku do të jetë i pranishëm dhe pasardhësi i Mogherinit, Jozep Borrell.

Tv Klan



Të ngjashme