Greqia: Durimi i unionit me Turqinë po mbaron

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë për Mesdheun Lindor ishin në fokusin e samitit të liderëve europianë këtë të premte në Bruksel.

Greqia dhe Qipro u bënë thirrje vendeve të unionit të marrin masa ndëshkuese për Turqinë, pas rikthimit në misionin e kërkimit të hidrokarbureve në ujërat e Mesdheut Lindor të anijes turke Oruç Reis, pas rreth një muaji ndërprerjeje.

Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Pecas tha për mediat greke se Bashkimit Europian po i humbet durimi nga aktet provokuese të Turqisë që dëmtojnë dialogun.

Haptazi në krah të Greqisë kanë dalë Franca dhe Gjermania, vendet lider të unionit. Vendet e BE-së nuk përjashtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve kundër Turqisë, por kjo paketë ka pak gjasa që të miratohet në këtë samit. Brukseli i ka lënë kohë deri në dhjetor Ankarasë të reflektojë dhe të heqë dorë nga veprimet provokuese që minojnë përpjekjet për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë.

Greqia e ka vënë si kusht largimin e anijes Oruç Reis nga ujërat e pretenduara nga dy vendet, për nisjen e dialogut. Ndërsa Turqia kërkon dialog pa asnjë kusht.

Tv Klan