Liderët e BE nxisin Ankaranë dhe Athinën për dialog


Liderët e BE nxisin Ankaranë dhe Athinën për dialog

13:10 16/09/2020

Borrell: Turqia nuk duhet trajtuar si kundërshtare

Diplomacia europiane ka intensifikuar përpjekjet për të nxitur Turqinë dhe Greqinë të ulen në bisedime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për zonat ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bisedoi në telefon me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, i cili përsëriti qëndrimin se Athina do të ulet në dialog vetëm kur Ankaraja të japë shenja bindëse se ka për qëllim uljen e tensioneve.

Ndërsa Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan zhvilloi biseda telefonike me Kryeministrin italian Giusepe Conte dhe atë bullgar Bojko Borisov. Vendet kryesore të unionit janë pozicionuar haptazi në krah të Greqisë në këtë çështje.

Megjithatë, kryediplomati europian Josep Borrell nga salla e Parlamentit Europian tha se zgjidhja nuk mund të gjendet duke u renditur kundër Turqisë.

Sipas tij, ky vend është një fqinj dhe partner i rëndësishëm i BE-së, sidomos në çëshjten e emigrantëve. Ndaj ai bëri thirrje për negociata me Turqinë për zgjidhje paqësore dhe të kënaqshme për të dyja palët.

Ankaraja bëri një hap pas javën e kaluar duke mos e zgjatur misionin e anijes Oruç Reis në Mesdheun Lindor, çka lehtëson kushtet për fillimin e dialogut me Athinën.

Tv Klan



Të ngjashme