Sot diskutohet propozimi i ri i Charles Michel

Liderët e Bashkimit Europian po diskutojnë sot në ditën e dytë të samitit planin e rishikuar të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë për unionin, të propozuar nga presidenti i këshillit europian Charles Michel. Në planin e rishikuar pjesa e granteve falas nga 500 miliardë të parashikuara, do të ulet në 450.

Fillimisht fondi i rimëkëmbjes prej 750 miliardë euro ishte parashikuar të ndahej  500 miliardë euro grante dhe 250 miliardë kredi.

Por kjo çoi në një debat të madh mes liderëve të  vendeve të bashkimit europian. Grupi i vendeve konservatore që përveç Holandës, përfshinë Austrinë, Suedinë, Danimarkën dhe Finlandën, kërkon që bashkëngjitur me grantet falas të ketë edhe kushte dhe kontroll të rreptë mbi shpërndarjen e parave. Gjithashtu këto vende kërkojnë  përqindje më të lartë të  kredisë për vendet më të prekura nga kriza të cilat kanë edhe fondet më të mëdha të rimëkembjes.

Por automatikisht Spanja dhe Italia, si dy vendet më të prekura nga pandemia kundërshtojnë monitorimin, me argumentin se do të bllokonte procesin.  Mbetet të shihet nëse do të binden vendet e pasura veriore, pasi kryesuesja e tyre Holanda  një ditë më parë vuri veton, duke çuar edhe në dështimin e negociatave ditën e parë të samitit. BE-ja po përpiqet të arrijë një dakordësi  edhe për buxhetin 2021-27, i cili parashikohet të jetë mbi 1 trilion euro.

Tv Klan