“Qytetarët të shfrytëzojnë këtë moment demokracie”

Liderët politikë në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën për të votuar për zgjedhjen e përfaqësuesve lokalë të 38 komunave. Kryeministri Albin Kurti ka garantuar bashkëkombasit e tij se qeveria mbetet e angazhuar për të çuar përpara fuqizimin e komunave.

“Si kryeministër bashkë me Qeverinë do të punoj e bashkëpunoj në fuqizimin e komunave. Katër vite të mbara e të mira i presin qytetarët e Kosovës në të gjitha komunat.”

Sakaq edhe Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar qytetarët që të dëshmojnë shpirtin e tyre demokratik përmes pjesëmarrjes masive në votime.

“Ftoj në numër sa më të madh të dalin në këtë proces zgjedhor, ta dëshmojnë sërish që qytetarët e Kosovës në radhë të parë e mundësojnë e në radhë të dytë e mbrojnë çdo proces të lirë e demokratik”.

Të njëjtin apel drejtoi edhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.

“Gjithë shfrytëzoni të drejtën për të votuar në këto zgjedhje, sepse pikërisht këto zgjedhje janë shumë më rëndësi në mirëqenien e qytetarëve. Mos e lini votën në shtëpi. Na priftë e mbara.”

Memli Krasniqi, i cili drejton Partinë Demokratike të Kosovës u kujtoi qytetarëve që këto zgjedhje janë së pari për ta.

“Këto zgjedhje janë për qytetarët para së gjithash dhe jo për politikanët, andaj shpresoj të jemi në një ditë të mirë ku demokracia të fitojë.”

Për kreun e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, 17 Tetori është një ditë feste për qytetarët e Kosovës.

“Sot natyrisht është festë, s’ka gjë më të bukur kur qytetarët vendosin për udhëheqësit.”

Mesazhe qetësie në këto zgjedhje ka dhënë edhe Kryetari I Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Duke e cilësuar të rëndësishme këtë ditë, Konjufca tha se qytetarët përmes vullnetit të lirë do të legjitimojnë pushtetin lokal dhe do të zgjedhin kryetarët e komunave.

Tv Klan