Kryeministri Edi Rama pritet që këtë të martë të presë përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut në Tiranë. Gazetari Enkel Xhangoli, në një lidhje direkte me Klan News përcolli më shumë detaje rreth këtij takimi që sipas gazetarit pritet të mbahet rreth orës 19:30 të pasdites së sotme.

“Të paktën nga deklaratat e deritanishme ftesës së zotit Rama i janë përgjigjur pozitivisht liderët e partive politike shqiptare në RMV. Rama ka ftuar në këtë takim liderin e BDI, Ali Ahmetin, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, Bilal Kasami nga Besa, Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi si dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Menduh Thaçi. Duhet thënë që janë përgjigjur pozitivisht ftesës së zotit Rama, por këto parti në vendin e tyre kanë pika që i ndajnë nga njëra tjetra. Në fakt i referohem këtu deklaratës së bërë nga Lëvizja Besa në Maqedoninë e Veriut, ku është përgjigjur që do i bashkohet dhe do që ta takojë kryeministrin Rama, duke thënë që është një takim pozitiv, dhe ka vlera pozitive për të dyja vendet”.

“Megjithatë, sipas deklaratës së bërë nga Besa, nuk mund të ulet në një tryezë me zotin Ahmeti, pasi kanë politikat e tyre që i ndajnë në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye në fakt mbetet për t’u parë nëse lëvizja Besa do të jetë në tryezë së bashku me partitë e tjera shqiptare të RMV dhe zotin Rama, apo do të kërkojë një takim veçmas me Kryeministrin Rama, për të mos u ulur me liderët e tjerë”./tvklan.al