Grupi i Shtetit Islamik ka publikuar një video ku shfaqet një person që thotë se është kreu i saj, Abu Bakr al-Bagdadi. Në videon 18 minutëshe, al-Bagdadi pranon humbjen e territoreve dhe zotohet se do të marrë hak.

Ai shfaqet për herë të parë në video pas 5 vitesh. Për herë të fundit ishte parë në vitin 2014 kur nga Mosuli shpalli krijimin e “kalifatit” në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut.

Nuk është e qartë se kur është realizuar kjo video, por zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit thanë se ekspertët do të verifikojnë autenticitetin e saj. Al-Bagdadi thotë se sulmet gjatë Pashkës në Sri Lanka ishin hakmarrje për rënien e ISIS në qytetin sirian të Baghuz.

Në fund të videos së publikuar, imazhi i al-Bagdadit zhduket dhe në sfond dëgjohet një regjistrim audio i zërit të tij që diskuton sulmet në Sri Lanka, duke hedhur hipotezën se kjo pjesë është regjistruar pas videos së filmuar.

/tvklan.al