Hidhen dyshime për prekjen nga lëndë kimike

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny mund të jetë helmuar. Dyshimet i hodhi mjekja e tij personale Anastasia Vasiljeva, e cila në një koment në Facebook tha se rivali kryesor politik i Vladimir Putinit kishte shfaqur shenja të forta helmimi nga kontakti me substanca kimike të rrezikshme që mbeten ende mister.

Mjekët e spitalit të burgut në Moskë citohet të jenë shprehur se 43-vjeçari kishte pasur simptoma të një reaksioni alergjik akut. Megjithatë, mjekja personale thotë se Navalny nuk ka vuajtur kurrë më parë nga alergjitë. Ai kishte pasur enjtje në fytyrë, sy të skuqur dhe acarime të lëkurës në trup.

Aktualisht lideri i opozitës ruse ndodhet në qeli pasi kishte marrë mjekime në spital. Navalny u burgos javën e kaluar për 30 ditë pasi bëri thirrje për protesta të paautorizuara, të cilat u zhvilluan të shtunën. Rreth 1 mijë mbështetës të opozitës u ndaluan gjatë protestave kundër bllokimit të kandidatëve të opozitës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Për raste të tilla ai është burgosur vazhdimisht, ndërsa në 2017-n, ai u rigjykua për akuzat për tjetërsim fondesh, të cilat vetë Navalny i quajti mashtrime.

Tv Klan