Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë kësaj jave, derisa po vazhdojnë protestat të cilat kërkojnë që lideri autoritar, Alyaksandr Lukashenka, të tërhiqet pas zgjedhjeve të “manipuluara”.

Sipas ekipit të Tsikhanouskaya, ajo do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit më 4 shtator përmes një video lidhjeje, me ftesë të Estonisë, e cila aktualisht është një anëtar jo i përhershëm i Këshillit.

Ajo gjithashtu do t’i drejtohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) katër ditë më vonë, tha zëdhënësi i saj më 31 gusht.

Tsikhanouskaya ishte kandidate në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi.

Mbështetësit e saj thonë se ajo i fitoi zgjedhjet dhe kundërshtojnë rezultatet zyrtare që e kanë nxjerrë fitues presidentin, Alyaksandr Lukashenka.

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve dhe shpërthimit të protestave, ajo u largua për në Lituani.

Këto janë protestat më të mëdha që kur vendi shpalli pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjetik më 1991.

Dhjetëra mijëra bjellorusë protestuan në qendër të kryeqytetit, Minsk, më 30 gusht duke brohoritur “largohu” ndërsa u mblodhën jashtë pallatit presidencial, ku Lukashenka aktualisht po qëndron. /REL