Tetë muaj më parë, e më konkretisht në Korrik të vitit 2019, një një fshat të qytetit të Fierit, harmonia familjare u prish pasi u mësua se njëra prej nuseve të shtëpisë i kishte dhënë lekë borxh kushëririt të burrit.

Pas zbulimit të këtij fakti, dyshimet u fokusuan në një tjetër drejtim, atë të hipotezës se mes nuses 25-vjeçare  dhe kushëririt të burrit 29 vjeç të kishte më shumë se dhënia e lekëve borxh , pra u aludua për një lidhje sentimentale.

Familja ku ishte nuse vajza, e konsideruan ngjarjen “turpërim për fisin”, dhe për këtë kërkuan që të ballafaqoheshin me të dyshuarin, ky i fundit njeri i afërt i tyre, i punësuar dhe  i besuar në biznesin që kishin në qytet, atë të një policie private. Ai pranoi se kishte marrë lekët borxh, por mohoi lidhjen me nusen e kushëririt , ndërsa nuk pranoi të ballafaqohej me kushërinjtë që e akuzonin.

Në muajin Gusht, nusja dëbohet nga shtëpia duke mos i dhënë mundësinë të merrte me vete as fëmijët.

Në Shtator, 29-vjeçari u rrëmbye dhe u zhduk për të mos u gjetur më kurrë. Nga kush dhe si, ende nuk dihet.

Ngjarja bëri bujë në media dhe pjesëtarët e trungut familjar të të riut kërkuan dhe kërkojnë me vendosmëri të dinë për fatin e djalit. Bëhet fjalë për Fatjon Myrtajn, për të riun që edhe sot e kësaj dite nuk ka informacion për vendndodhjen e tij.

Dy pjesëtarë të fisit u arrestuan si të dyshuar të përfshirë në rrëmbim dhe në zhdukje. Njëri prej tyre tashmë është bashkëpunëtorë i drejtësisë. Por këto zhvillime nuk ndihmuan për të zbuluar fatin dhe vendndodhjen e të riut.

Emisioni “Uniko” do të risjellë këtë histori me të dhëna të reja dhe dëshmi  të personazheve kryesore  duke përshirë dhe intervistën me nusen e cila flet për herë të parë në media. Ajo konsiderohet dhe zanafilla e konfliktit të ashpër brenda familjes.

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 6 muajve dhe për të mësuar se si janë zhvilluar ngjarjet para, gjatë dhe pas rrëmbimit të 29-vjeçarit, ndiqni videon e plotë të emisionit. /klanplus