Jun Padasas kujton me dhimbje ditën kur fëmija i tij i vetëm Kristel ndërroi jetë, rreth 10 vjet më parë. Atë ditë, Kristel ishte vullnetar gjatë një ngjarjeje në të cilën Papa Françesku takoi viktimat e tajfunit shkatërrues Haiyan në qytetin jugor të Filipineve, Tacloban.

Tajfuni kishte vrarë mbi 6,000 njerëz. 27-vjeçarja Kristel kishte punuar për më shumë se një vit në një organizatë ndihmash, për rimëkëmbjen e rajonit përreth. Ajo që supozohej të ishte një rast i lumtur papritmas u bë një tragjedi për familjen Padasas, pasi një skelë u rrëzua mbi Kristel, duke e vrarë atë në çast.

Një ditë pas vdekjes tragjike të Kristel, Papa Françesku u takua me babanë e saj, Jun. Takimi dhe kujtimi i Françeskut i dhanë forcë, teksa vajtoi vdekjen e vajzës së tij të dashur.

“Ndoshta ata, Papa Françesku dhe Kristel, më në fund do të takohen. Kjo është ajo që dëshirova kur u luta për vajzën time”, shprehet Padasas.

Ai tha se ishte “zemërthyer” kur dëgjoi për vdekjen e Atit të Shenjtë.

“Isha zemërthyer. Pashë lajmin  dhe pyeta a është e vërtetë?’. Dikush u përgjigj ‘kjo është e vërtetë, janë të gjitha mediat që e thonë. Hapa Facebook-un dhe postova për Papa Françeskun në profilin tim, u ndjeva i pikëlluar. Është e trishtueshme, por jam gjithashtu i lehtësuar që ai tani është në duart e Zotit”.

Filipinet, shtëpia e më shumë se 80 milionë katolikëve, ka pasur prej kohësh një lidhje të veçantë me Papa Françeskun, i cili vizitoi vendin në vitin 2015, duke tërhequr një turmë rekord njerëzish deri në 7 milionë në një meshë historike në kryeqytet.

Klan News