Lidhjet Kosovë – Izrael nisën që në Luftën e Dytë Botërore



Lidhjet Kosovë – Izrael nisën që në Luftën e Dytë Botërore

17:23 04/10/2020

Familjet që shpëtuan përshëndesin vendosjen e marrëdhënieve

Lekë Rezniqi udhëheq shoqatën e miqësisë Kosovë – Izrael të themeluar nga gjyshi i tij Mustafa dhe aktivistja Xhangyle Ilijazi, ndërsa me krenari tregon historitë e shpëtimit të familjeve hebreje nga stërgjyshi Asllan Rezniqi. Shtëpia e tij konsiderohej edhe si një nga pikat e sigurta për strehimin e hebrenjve, të ardhur kryesisht nga Maqedonia e Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Njëri prej tyre është edhe mjeku hebre Haim Abranavel, i cili jetonte në Shkup dhe ishte arrestuar nga gjermanët, ndërsa Asllan Rezniqi e kishte shpëtuar nga regjimi atëhershëm nazist duke e strehuar në shtëpinë e tij dhe duke i ndihmuar të rikthehej sërish në Shkup. Por, ky shpëtim i jetës ishte i dyanshëm, pasi që edhe i biri i vetë Asllanit, Mustafa, ishte i sëmurë keq nga tifoja ndërsa Dr. Abravaneli kishte arritur ta shëronte, ndërkohë që 3 anëtarë të familjes Rezniqi tashmë kishin vdekur.

Lekë Rezniqi mban kontaktet me pasardhësen e vetme të kësaj familjeje ndërsa nëpërmjet skype po komunikon me mbesën e Dr. Abravanelit e cila rrëfen për Tv Klan historinë e rivendosjes së kontakteve ndërmjet dy familjeve.

“Gjatë viteve ‘90 ka pasur një tentim për të rivendosur kontakte, por nuk kemi marrë përgjigje në letrat e dërguara në Izrael. Pastaj gjatë luftës në vitin 1999 ne kemi ikur në Maqedoni, dhe një ditë gjyshi (Mustafa Rezniqi) e merr informatën që dikush është duke iu kërkuar nga Izraeli”.

“Unë kam marrë një letër nga familja Rezniqi që tentonin për rivendosjen e kontakteve, por kontaktet realisht janë rivendosur në vitin 1999 kur filloi lufta në Kosovë. Unë kërkoja familjen Rezniqi me qëllim që t’u ndihmoja atyre gjatë kësaj lufte të tmerrshme dhe mendoja që t’i merrja këtu në Izrael. E gjetëm më në fund sërish njëri tjetrin ishte shumë emocionuese. Kur më kontaktoi në telefon Mustafa Rezniqi ishte shumë  ai qante unë qaja”.

Së fundmi dakordimi ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe atij izraelit Benjamin Netanjahu për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet këtyre dy vendeve është mirëpritur nga Rezniqi, i cili disa herë ka vizituar Izraelin.

“Nuk kanë filluar tani raportet mes dy popujve tanë por shumë më herët. Si shoqatë e Miqësisë Kosovë-Izrael mendojmë që do të krijojë lehtësi në komunikimin mes dy vendeve tona, qoftë në aspektin teknik sa i përket marrjes së vizave qoftë në aspekte të tjera”.

“Është një storje e veçantë sepse mendoj se ideja e familjes myslimane dhe hebreje të ndihen si një familje e madhe fatkeqësisht është mjaft e rrallë në botën tonë. Mendoj se është një storie e fuqishme sepse na tregon ne që njerëzit mund të jetojnë bashkë pavarësisht çfarë religjioni kanë, ku jetojnë, dhe  në çfarë besojnë por e rëndësishme është vullneti i mirë dhe dashuria mes njerëzve është shumë e rëndësishme”.

Familja Rezniqi është vlerësuar me titullin ‘Fisnik mes Kombeve’ nga institucioni i përkujtimit të martirëve të Holokaustit (Yad Vashem në Jerusalem), duke njohur kontributin e kësaj familjeje në shpëtimin e familjeve hebreje.

Tv Klan




Të ngjashme