Triumfon në përballjen direkte me Portugalinë

Franca siguroi finalet e Ligës së Kombeve 1 javë para fundit të fazës së grupeve. Skuadra e Deschamps fitoi me rezultatin 1 – 0 në fushën e Portugalisë, kampionen e sezonit të kaluar. Në stadiumin “Da Luz” goli u realizua nga N’Golo Kante në minutën e 54’ të sfidës e zhvilluar të shtunën.

Përpjekjet e vendasve nuk sollën ndryshim të rezultatit. Në të njëjtin grup Suedia fitoi 2 – 1 me Kroacinë, duke lënë në javën e fundit se cila skuadër do të zbresë në Ligën B.

Zvicra frenoi Spanjën në një barazim 1 – 1 në mbrëmjen ku Sergio Ramos zhvilloi sfidën e 177 me përfaqësuesen më shumë se çdo lojtar tjetër në Europë. Ramos gaboi 2 herë në goditjen e penalltisë të pritura nga Sommer, duke lënë një shije të hidhur në ditën e vendosjes së këtij rekordi.

Freuler realizoi për zviceranët në pjesën e parë, ndërsa Gerard Moreno shmangu disfatën me golin e shënuar në minutat e fundit, kur kundërshtari ishte me 10 lojtarë për shkak të një kartoni të kuq. Në këtë grup kryeson Gjermania që mundi me përmbysje 3 – 1 Ukrainën. Vendi i parë do të vendoset në takimin e fundit ku Spanja do të presë Gjermaninë. Përfaqësueses gjermane i mjafton një barazim.

Tv Klan