“Miratoni kërkesat që i vlerësoni të drejta”

Liga e futbollit iu përgjigj përfaqësuesve të qeverisë, ministres së Financave Denaj dhe deptetit Ylli, nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale. Sekretari i Përgjithshëm i saj Dritan Kadia shtron disa pyetje.

“Përse nuk përmbushen kërkesat e ligës kur konsiderohen të drejta, përse kërkohen sërish bisedime, kur nga ana tjetër Ministria e Financave dhe qeveria dolën kundër kërkesave, si dhe përse ligji për sponsorizimet nuk bëhet sikurse në shtetet e tjera të rajonit, apo edhe disa vende të zhvilluara europiane”.

Në mbështetje të kërkesave të ligës janë edhe ish-futbollistët. Rezart Dabulla, madje inkurajon vendimin për vazhdimin e bojkotit.

“Po u zbrapsën do të jetë e vështirë të bëhet në një moment të dytë”.

Sipas Dabullës, qeveria shqiptare e ka vullnetin politik për të mbështetur sportin, por duhet që strukturat e saj ta bëjnë atë të realizueshëm.

“Siç ka mbështetur për stadiumet ka edhe politikanë që e duan sportin por janë teknikët që duhet të bien dakord”.

Pritet ende një takim mes përfaqësuesve të Ligës Profesioniste të futbollit dhe deputetit Fidel Ylli si i deleguari i qeverisë për këtë çështje.

Tv Klan