Qeveria ka vendosur që të ndryshojë tërësisht ligjin për investimet, duke mos i dhënë i më hapësirë mbrojtëse vetëm sipërmarrëseve të huaj, por duke ofruar një legjislacion të njëjtë për të gjithë bizneset: si shqiptarët ashtu edhe për ato që vijnë nga vendet e tjera.

 “Investitorëve të huaj do t’u ofrohet trajtim jo më pak i favorshëm se ai që i ofrohet, në rrethana të njëjta, investitorëve vendas, në lidhje me themelimin, blerjen, zgjerimin, menaxhimin, drejtimin, operimin dhe shitjen apo forma të tjera të disponimit të investimit të tyre”.

Drafti i ri i hartuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, shfuqizon legjislacionin që përdorej deri më sot për investimet: si ligjin për investimet e huaja, edhe atë për investimet strategjike. Për këto të fundit, qeveria ka vendosur që në fushat të cilat konsiderohen strategjike, energjia, transporti, turizmi dhe bujqësia, të krijohet një fond i posaçëm me toka shtetërore, të cilat do t’u jepen sipërmarrësve për tu zhvilluar, përfshirë edhe pronat në bregdet.

 “Për zhvillimin dhe realizimin e projekteve të investimeve strategjike vihen në dispozicion troje, pyje, tokë bujqësore, si dhe pasuri të tjera të paluajtshme në pronësi të Shtetit shqiptar”.

Për herë të parë ligji i ri i jep të drejtë shtetit shqiptar që të ndalojë transferimin e parave që kompanitë e huaja realizojnë në Shqipëri në momentin që ato krijojnë vështirësi për bilancin e pagesave të vendit.

 “Në raste të vështirësive serioze në bilancin e pagesave ose të kërcënimit për vështirësi të tilla, Qeveria mundet përkohësisht t’i kufizojë transfertat, me kusht që masa të tilla të jenë në përputhje me standardet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në mirëbesim dhe mbi baza jo diskriminuese”.

Vetëm gjatë vitit 2018-ë kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri kanë transferuar 300 milion euro jashtë, me një rritje prej 10 milion Euros krahasuar me 2017-n.

Tv Klan