Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bën të ditur se shumë shpejt do të çojë në parlament një nismë ligjore në mbrojtje të kafshëve.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Tahiri shkruan se dhuna ndaj kafshëve duhet të mbarojë.

“Braktisja, keqtrajtimi, dhuna, plagosja, vrasja, konkurset e forcës, luftimet ndërmjet kafshëve, publikimi i foto e video, eksperimentet e paligjshme me kafshë, do propozoj të jenë vepra penale të dënueshme”,

shkruan Ministri.

Ai thotë se kjo nismë vjen pas qindra komunikimeve me shumë qytetarë lidhur me keqtrajtimin sistematik të kafshëve, pas sqarimeve të vazhdueshme mes pafuqisë ligjore për të vepruar dhe indiferencës së shumë institucioneve, pas qindra foto e video ku dhuna e luftimet ndërmjet kafshëve kthehen në sipërmarrje gangstërlleku a përfitimi, është e domosdoshme ndërmarrja e një nisme ligjore, që i jep fund vakumit normativ dhe torturave çnjerëzore që disa të papërgjegjshëm i shkaktojnë kafshëve.

Tahiri thotë deri më sot nuk ka pasur asnjë dispozitë që dënon keqtrajtuesit e kafshëve dhe një gjë e tillë, sipas tij, duhet patjetër.

“Mbase sot e në vijim, do ketë shumë njerëz që do e konsiderojnë të tepërt. Disa do thonë se Shqipëria ka probleme më të mëdha! Disa të tjerë do thonë të shohim njerëzit një herë, pastaj kafshët. Unë mendoj të kundërtën! Asnjë problem tjetër, sado i madh, nuk mund të jetë kurrë justifikim aq sa të jemi indiferent ndaj dhunimit të kafshëve në vendin tonë”,

thekson Tahiri në postimin e tij.

Ministri publikoi edhe tekstin që do të propozojë, ndërsa shprehet se për miratimin e tij duhet ndihma e të gjithëve.

“Më poshtë, teksti që do propozoj! Duhet ndihma e të gjithëve, për ta miratuar në parlament ndaj shpërndaje, thuaj tendën, nqs mendon se kafshët duhen respektuar e mbrojtur”.

Neni 1

Keqtrajtimi i kafshëve”

1. Braktisja e kafshëve përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 10.000 lekë gjer në 30.000 lekë.

2. Kushdo që, pa arsye të ligjshme, plagos një kafshe, apo e nënshtron atë ndaj veprimeve që sjellin vuajtjen e saj, dënohet me burgim nga 3 muaj gjer në 6 muaj.

3. Kur si pasojë e veprimeve të kryera në pikat 1 dhe 2 të këtij neni shkaktohet ngordhja e kafshës, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 12 muaj dhe me gjobë nga 50.000 lekë gjer në 100.000 lekë.

Neni 2

Shfaqjet, konkurset dhe luftimi ndërmjet kafshëve

1. Shfaqjet dhe konkurset e jashtëligjshme ku marrin pjesë kafshë, dënohen me gjobë nga 20.000 deri në 50.000 lekë

2. Prodhimi, shpërndarja, shitja e botimi i imazheve të luftimeve ndërmjet kafshëve, me çdo mjet ose formë, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 200.000 lekë ose me burgim deri në 1 vjet.

3. Organizimi i luftimeve dhe veprimtarive të dhunshme me kafshët, dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 100.000 deri në 300.000 lekë.

4. Luftimi mes kafshëve që organizohet për qëllime përfitimi financiar dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 500.000 deri në 1.000.000 lek

5. Nëse nga aktet e përcaktuara në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni shkaktohet ngordhja e kafshës, dënohet me burgim deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.

Neni 3

Kryerja e eksperimenteve me kafshë

1. Kryerja e eksperimenteve të jashtëligjshme me kafshët dënohet me burgim deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë

Neni 4

“Përdorimi për qëllime përfitimi të lëkurës së kafshës”

1. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës së kafshëve shtëpiake, për prodhimin e artikujve prej lëkure, dënohet me burgim 2 vjet deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 500.000 lekë.

2. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës, pendëve apo pjesëve të tjera të trupit të kafshëve të shpallura specie të rrezikuara dënohet me burgim deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.

/tvklan.al