“Cenoi Kushtetutën, ka bërë thirrje për dhunë”

Socialistët nuk kanë pritur të hënën për të dëgjuar Presidentin Ilir Meta, i cili përmes një letre drejtuar Komisionit të Ligjeve kërkoi që të paraqitej në mbledhjen e datës 10 Maj. Me 13 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim Komisioni i Ligjeve vendosi që të dëgjojë në mbledhjen e së enjtes Presidentin Ilir Meta, pas kërkesës së bërë nga 49 deputetë të mazhorancës që kërkojnë shkarkimin e tij.

“Mbledhja e radhës të jetë nesër në datën 6 ora 11:00 që t’i mundësojmë Presidentit që të shprehet përpara komisionit dhe më pas do të vijojmë me procedurën e Komisionit të Ligjeve sipas rregullores. Në rastin konkret datën dhe orën e vendos Komisioni.”

Në cilësinë e relatores, deputetja Vasilika Hysi parashtroi faktet që sipas socialistëve provojnë shkeljet e rënda kushtetuese të kreut të shtet, që sipas tyre çuan deri në nxitjen e konfliktit dhe dhunës.

“Presidenti i Republikës ka cenuar qoftë nenin 92 dhe atë 94 të Kushtetutës. Këto përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto sjellje kanë sjellë ndasi sociale dhe politike. Presidenti ka mbajtur hapur një anë politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Ai në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për dhune”.

Në kërkesën që mban firmat e 49 deputetëve të mazhorancës renditen të gjitha deklaratat e bëra nga kreu i shtetit, para dhe pas 25 Prillit, që për socialistët janë provë e qartë jo vetëm e njëanshmërisë së Presidentit Meta në favor të opozitës, por njëherazi edhe nxitje dhe revoltë kundër shumicës.

Madje socialistët e bëjnë Presidentin Ilir Meta përgjegjës edhe për nxitjen e konfliktit që çoi në vrasjen e Pjerin Xhuvant në Elbasan pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit.

Procedura për shkarkimin e kreut të shtetit do të kalojë përmes një Komisioni Hetimor dhe ajo do të jetë e njëjtë me atë të ndjekur më herët nga mazhoranca.

Sakaq kërkesa për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është vendosur në axhendën tre javore të punimeve të Kuvendit.

Tv Klan