PS: Sjellja e Metës nuk ka asnjë presidenciale

Me 14 vota pro dhe vetëm me votën kundër të Adriatik Alimadhit, Komisioni i Ligjeve ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta.

Motivacioni mbi të cilin kërkohet për herë të dytë në më pak se dy vitesh shkarkimi i kreut te shtetit nga shumica, është shkelja e rëndë e pretenduar e Kushtetutës gjatë fushatës zgjedhore.

“Presidenti ka shkelur nenin nr.4 të kushtetutës që ka të bëjë e shtetin e të drejtës. Presidenti ka kërkuar të imponojë vullnetin e tij politikë këtyre institucioneve duke i paralajmëruar edhe për përgjegjësi penale, i ka etiketuar. Në tërësi në të gjithë veprimtarinë dhe sjelljen e Presidentit nuk ka asgjë presidenciale, është një sjellje absurde e tij”.

Presidenti ishte i ftuar të merrte pjesë në këtë mbledhje për të dhënë argumentet e tij kundërshtues për pretendimet e shumicës, por ai me një letër drejtuar komisionit shprehte gatishmërinë për t’u paraqitur në datën 10 Maj.

“Agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021 qe, përveçse te tjerash përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar”.

Por  socialistët e akuzojnë se ai e ka zgjedhur qëllimisht datën 10 Maj, pasi 9 Maji është data e fundit e lejuar për ngritjen e komisionit, pasi ligji parashikon se ai s’mund të ngrihet 4 muaj nga përfundimi i legjislaturës.

Të premten parlamenti do të mblidhet për të miratuar raportin e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor që ka barrë të provoje akuzat se kreu i shtetit ka shkelur rende Kushtetutën siç parashikon neni 90 i Kushtetutës me thirrjet e tij gjatë fushatës elektorale.

Tv Klan