Komisioni i Ligjeve miratoi me 13 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim raportin për ngritjen e një Komisioni Hetimor që do të hetojë shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta pas anulimit të 30 Qershorit. Raportit  iu bashkëngjit  dhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor që e vlerëson 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve lokale.

Edhe pse kreu i Komisionit të Ligjeve i dërgoi ftesë kreut të shtetit për të qenë përpara komisionit me argumentet e tij siç ishte bërë e ditur përmes letrës që i kishte kthyer si përgjigje, Ilir Meta refuzoi ta shfrytëzonte këtë të drejtë që i jepte ligji.

Raporti do t’i paraqitet Kuvendit në seancën e datës 4 Korrik dhe për t’u miratuar kërkon shumicë të thjeshtë votash.

Ndërsa raporti i vetë Komisionit Hetimor kërkon 93 vota për t’u miratuar. Më pas është Gjykata Kushtetuese që ka fjalën e fundit që vendos nëse Presidenti ka shkelur apo jo Kushtetutën, duke vendosur në këtë mënyrë dhe nëse ai do të vazhdojë mandatin deri në 2022 apo do t’i ndërpritet.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve u rrëzua dhe dekreti i Presidentit që kthente për rishqyrtim ligjin për përmbarimin privat. Kreu i Dhomës së Përmbaruesve shprehu shqetësimin se dekreti i Presidentit, edhe pse mban datën 31 Maj, nuk ishte publikuar në faqen zyrtare. Vetëm pak minuta më vonë, zyra e shtypit e kreut të shtetit njoftoi se kishte bërë publikimin e dekretit.

Tv Klan