“Dublon kompetencat e SPAK dhe BKH”

Një ditë pas qeveria prezantoi paketën e plotë ligjore të quajtur “AntiKÇK” që do të luftojë krimin e organizuar, ka reaguar Partia Demokratike.

Në një njoftim shpërndarë mediave, selia blu thotë se ky ligj dublon kompetencat e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

PD thotë se ligji AntiKÇK synon të zëvendësojë SPAK, ndërsa thekson se ligji i Antimafias ka të gjitha mekanizmat e duhur për të luftuar krimin e organizuar.

Reagimi i Partisë Demokratike:

Akti normativ i qeverisë për krimin e organizuar është antikushtetues, nuk forcon luftën ndaj tij, ul standardin e goditjes ndaj krimit të organizuar dhe dublon kompetencat e SPAK-ut dhe BKH-së.

Nëse do të zbatohej, ligji antimafia në fuqi ka mekanizma më të fortë dhe më efikasë për luftën ndaj krimit të organizuar, përmes goditjes së pasurisë së tij, por akti normativ synon të zëvendësojë SPAK-un me Ardi Veliun.

Duke i dhënë policisë kompetencat që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese 4 vjet më parë, ligji i ri i Edi Ramës krijon bazën për krjimin e modelit të shtetit policor,  ku do të goditet banda që nuk bashkëpunon për t’i ruajtur dhe për t’i siguruar pushtetin në mënyrë të paligjshme.

Nuk ka asnjë shans që Edi Rama të luftojë krimin e organizuar, pasi ai është produkti politik i parave të pista të krimit të organizuar. Gjatë gjithë karrierës se tij politike, Edi Rama ka siguruar vota dhe para prej krimit të organizuar, duke u dhënë trafikantëve të drogës leje ndërtimi, koncesione, tendera dhe pasuri publike.

Shqipëria nuk ka nevojë për ligje të reja për të luftuar krimin e organizuar. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër që nuk është peng i  krimit të organizuar. Partia Demokratike është e vetmja forcë e madhe politike që mund ta sigurojë këtë. Ne kemi vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, që po zbras çdo ditë Shqipërinë. /tvklan.al