Ministria e Financave ka vendosur që të reflektojë rekomandimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në projektligjin e miratuar në Këshillin e Ministrave dy javë më parë, për krijimin e Korporatës Shtetërore të Investimeve. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se aktualisht ekspertët janë duke analizuar pikat e lëna nga institucionet ndërkombëtare dhe do t’i implemtojnë brenda ligjit gjatë kohës që do të shqyrtohet në kuvend.

“Projektligji është aprovuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe është një proces i cili në trajektoren e tij të diskutimeve do të marrë parasysh edhe rekomandimet e FMN, BB dhe BERZH të cilat ne jemi duke i analizuar dhe duke gjetur një mënyrë sesi të marrim feedback por njëkohësisht të implementojmë aty ku është e nevojshme projektet e tyre”.

Projektligji për Korporatën e Investimeve ka hapur debate publike mes specialistëve të ekonomisë por edhe partive politike lidhur me kompetencat që shteti i jep kësaj njësie për administrimin e pronës publike. Korporatës po ashtu i njihet e drejta të marrë borxh dhe të përjashtohet nga procedurat ligjore të prokurimit publik edhe në zgjedhjen e fituesve të projekteve koncesionare.

Vetë Fondi Monetar në raportin e fundit të post monitorimit për Shqipërinë, kërkoi që të merret parasysh përvoja botërore dhe risqet që shoqërojnë projekte të tilla, të cilat mund të kërcënojnë në të ardhmen treguesit e borxhit dhe stabilitetit financiar.

Tv Klan