Mickoski kërkon ndryshim të ligjit

Kreu i LSDM, Zoran Zaev shprehet optimist se Kuvendi më 12 Shkurt do t’i sjellë të gjitha ligjet e nevojshme, mes tyre edhe ligjin për Prokurori Publike, për të cilin nevojitet shumicë prej dy të tretave. Ai theksoi se nëse është e nevojshme që të mbahet takim të liderëve, e njëjta të mbahet javën e ardhshme.

“Bëhet fjalë për ligj, i cili është kompleks dhe është i nevojshëm për integrimet evropiane. Jam në dispozicion për të biseduar që të gjejmë zgjidhje. Tani jemi më të relaksuar ngase lëndët e PSP-së janë të siguruara, janë në procedurë gjyqësore dhe nën kontroll të prokurorit publik. Kështu të relaksuar mundemi në Kuvend të merremi vesh në thelb për zgjidhje për prokurorinë publike që do të ishte përkrahur nga të gjithë. Në fund të ditës nuk pyetën vetëm Zaev dhe Mickoski, këtu janë edhe partitë tjera politike, grupi i pavarur i deputetëve, që të mund të gjithë të japin sugjerimet e tyre për një çështje aq të rëndësishme strukturore”, ka theksuar Zaev. 

Ndërkaq, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, i cili gjithashtu ndodhej në Ohër, njoftoi se nuk do të merr pjesë në takim sa për sy e faqe. Ai shtoi se grupet e punës do të takohen javën e ardhshme dhe nëse qëndrimet afrohen, atëherë mund të flitet për mbajtjen e takimit të liderëve.

“Ajo që u propozua sot nga ana e LSDM-së praktikisht paraqet ligj i cili në të ardhmen do të duhet t’i mbrojë strukturat kriminele të LSDM-së, që do të kalojnë në opozitë pas 12 prillit. Kështu që nëse duhet të organizohet takim sa për sy e faqe, unë me të vërtetë nuk dua t’ua humbas kohën qytetarëve. Gjatë javës së ardhshme do të takohen grupet e punës, do të bisedojnë, në qoftë se i përafrojnë qëndrimet e tyre atëherë mund të flasim për diçka më konkrete, përkatësisht takimi i liderëve”. 

Harmonizim të qëndrimeve në lidhje me ligjin për prokurori publike dhe miratimin e tij e kërkon edhe bashkësia ndërkombëtare. Gjatë vizitës një javë më parë të komisionerit të BE-së për zgjerim Oliver Varhelji, u apelua që ligji të vendoset në listën e prioriteteve në prag në samitit në muajin Maj, për kur është paralajmëruar se Komisioni Evropian sërish do të propozojë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Tv Klan