Partia Demokratike ka vijuar akuzat në adresë të kryeministrit Rama lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti Enkelejd Alibeaj tha se miratimi me urgjencë i ligjit ka vetëm një qëllim pastrimin e parave të pista të drogës e korrupsionit përmes shembej së Teatrit Kombëtar, grabitjes së 8500 metrave katrorë pronë publike si dhe kërcënimit të pronarëve për t’a shitur pronën e tyre me çmim qesharak të përcaktuar nga kryeministri.

Në funksion të asaj që e cilëson skemë kriminale për shembjen e teatrit dhe ndërtimin e 6 kullave në vend të tij opozita thotë se është edhe asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese nga ana e kryeministrit.

Sipas selisë blu, nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte në funksion, opozita, artistët, pronarët, qytetarët do të kishin mundësi ta ankimonin ligjin në Kushtetuese dhe Gjykata të pezullonte çdo veprim të qeverisë.

Demokratët i bënë sërish thirrje faktorit ndërkombëtarë në Tiranë të mos heshtë, duke e bërë atë njëherazi përgjegjës për mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan