Bello: Nga 4556 struktura akomoduese, 1294 janë të paformalizuara

Nisma e Ministrisë për disa ndryshime në ligjin për turizmin ka sjellë edhe reagimin e parë nga strukturat akomoduese të cilat kanë shfaqur interes për t’u formalizuar.

Zv/ministrja Vilma Bello u shpreh se projektligji ka për qëllim standardizimin, reduktimin e informalitetit si dhe statistika të sakta për këtë sektor.

“Struktura në total janë 4556 nga të cilat në Tiranë 1294 të paformalizuara. Nga të dhënat e AirBNB janë 3 mijë apartamente të paregjistruara. Struktura të kategorizuara janë 1500. Ka një nxitje të vazhdueshme të strukturave për t’u certifikuar”, u shpreh zv/ministrja.

Bello bëri të ditur se strategjia 2024-2030 e sektorit të turizmit po punohet në partneritet me Gjermaninë dhe Kroacinë, për të cilën tha se synohet turizmi elitar.

“Punë intensive me partnerët gjermanë dhe kroatë për hartimin  e strategjisë. Deri në fund të Pranverës do të kemi një strategji. Nuk kemi në fokus numrat sesa turizmin e qëndrueshëm”, theksoi zv/ministrja.

Ndryshimet në Ligjin për Turizmin u ndërmorën në Tetor të 2023, ndërsa Shqipëria vitin që lamë pas arriti një rekord prej 10.1 milionë turistësh.

Tv Klan