Gjykata e Krimeve të Rënda ka rikonfirmuar masën e sigurisë arrest me burg për 4 të arrestuarit e 3.4 milionë eurove që u sekuestruan në portin e Durrësit, në dy Toyota Yaris. Sipas togave të zeza, për Edi Likën, djalin e tij Klevin, Arben Çekën dhe Alban Mollaymerin nuk kanë ndryshuar kushtet dhe deri në përfundim të hetimit ata do qëndrojnë në qeli.

Masa u verifikua nga Krimet e Rënda pasi dosja erdhi për kompetencë nga Prokuroria e Durrësit. Sipas hetimeve të deritanishme, 4 persona janë pjesë e një grupi të strukturuar, sëbashku me dy kushërinjtë e shqallur në kërkim, Alfred dhe Elvis Vladi. Këta dy fundit ishin dhe personat që kishin porositur automjetet në Belgjikë, aty ku dyshohet se mund të jenë ngarkuar edhe paratë.

Në dëshmitë e tyre të arrestuarit kanë sqaruar se kanë punuar për llogari të kushërinjve Vladi, të cilët dyshohet se janë transportuesit e eurove. Prokuroria ka dyshime se pritësit e vërtetë të parave janë persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Për identifikimin e tyre janë dërguar letër-porosi në katër vende, Angli, Belgjikë, Gjermani dhe Itali.

Tv Klan