Ernejt Shyti u largua duke çaluar nga vendi i ngjarjes

Me kokën ulur dhe i qetë, i riu Ernejt Shyti, ekzekutori i 66-vjeçarit nuk ka dhënë sqarime para gjykatës, por është shprehur se do të flasë në një moment tjetër. Xhuliano Visha tha se e njihte Shytin, por nuk kishte aspak lidhje me ngjarjen. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Skënder Vathi i akuzuar si organizator dhe Leonar Xhixha që mohuan të kishin lidhje me 24-vjeçarin.

Prokuroria tha para gjykatës se kishte një sërë provash që vërtetonin akuzat duke nisur ADN-ja e gjetur në rrobat që kishte hedhur në kosh 24-vjeçari pas vrasjes, pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë se Shyti dhe të akuzuarit e tjerë kishin kohe që e vëzhgonin viktimën, po ashtu edhe përgjime, mes personave të dyshuar.

Në celularin e 24-vjeçarit është zbuluar edhe një SMS ku i shkruanin “doli’, pak minuta para se të kryhej vrasja. Akuza zbuloi një tjetër detaj interesant nga ngjarja. Pasi kreu vrasjen, Ernejt Shyti është larguar qëllimisht duke çaluar për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë. Grupi hetimor është konsultuar edhe me një ekspert britanik dhe ka arritur në përfundimin se çalimi ka qenë i stimuluar.

Një tjetër provë është dëshmia e Ernejt Shytit që ka rrëfyer para hetuesve, në momentin e arrestimit se cilët ishin të përfshirë në ngjarje. Prokuroria i ka ofruar atij statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Pasi dëgjoi të gjitha palët gjykata i la në burg të dyshuarit. 4 të arrestuarit akuzohen për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Tv Klan