Akuzohen si bashkëpunëtor në vrasjen e vëllezërve Haxhia

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në burg dy të arrestuarit Besian Xhixha dhe Enver Diva, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Prillin e vitit të kaluar në Durrës. Të dy të ndaluarit nuk kanë folur para gjykatës, ndërsa mbi ta rëndon akuza për veprat penale “sigurim i kushteve për të kryer vrasje” si dhe “mashtrim”.

Besian Xhixha 30 vjeç nga Larushku i Krujës dhe Enver Diva 40 vjeç nga Fushë-Mamurrasi, u arrestuan dy ditë më parë nga Policia e Durrësit dhe forcat RENEA, në operacionin e koduar “Vazhdimi”.

Policia ra në gjurmët e tyre, pas dëshmisë së dhënë nga i penduari Klevis Alla. Ai mësohet t’i ketë thënë prokurorëve se ata kundrejt një shume të madhe lekësh ishin porositur nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia.

Ndaj për disa ditë me radhë me ndihmën edhe të Klevis Allës, ata kishin vëzhguar lëvizjet e vëllezërve dhe planifikuar krimin. Por, pak ditë para se të kryenin krimin, ata u tërhoqën nga plani i vrasjes, pasi Enver Diva u infektua me Covid-19 dhe për këtë shkak ishte karantinuar.

Duke qenë se plani i parë dështoi, Talo Çela, Nuredin Dumani dhe Altin Ndocin vunë në zbatim planin e dytë, duke e ekzekutuar vetë Besmir Haxhinë, ku gjithashtu mbeti i vrarë edhe i vëllai i tij Viktori.

Për këtë ngjarje janë arrestuar më parë Klevis Alla, i penduar i drejtësisë, dhe Altin Ndoci, ndërsa janë të shpallur në kërkim Talo Çela dhe Nuredin Dumani.

Shkak për konfliktin mes të dyshuarve janë bërë 4.6 milionë Eurot e grabitura në 9 Prill të 2019 në aeroportin e Rinasit.

Tv Klan