“Detyrim paraqitje” për policin David Madani që plagosi dy kolegët

Lirohen 3 nga 4 të arrestuarit për ngjarjen e pak ditëve më parë në Mamurras ku u plagosën dy policë dhe një qytetar. Gjykata e Kurbinit vendosi detyrim paraqitje për efektivin David Madani, i cili plagosi 3 persona, përfshirë edhe 2 kolegë të tij. E njëjta masë u caktua në një seancë të ndarë edhe për 2 të prangosurit e tjerë, kushërinjtë Gjon dhe Rudolf Fufi. 

Ndërkohë për të arrestuarin tjetër Nikoll Fufi seanca për masën e sigurisë do të zhvillohet në një moment të dytë për shkak se ai ndodhet në spital. Konflikti nisi pasi 3 policët shkuan te lokali i Lek Fufit për të kontrolluar për aktivitetin e lojërave të fatit.

Ata hasën në kundërshtinë e Nikoll Fufit i cili u shoqërua për t’u lënë më pas i lirë. Sherri vijoi kur efektivët e uniformave blu mbyllën turnin, teksa 2 vëllezërit dhe kushëriri i dolën para dhe goditën me sende të forta David Medanin.

Ky i fundit fillimisht qëlloi në ajër me pistoletën e punës dhe më pas si pasojë e një qitje të pakontrolluar plagosi dy kolegë të tij dhe Nikoll Fufin e përfshirë në këtë konflikt.

Tv Klan